+381 38 123 456

[email protected]

Shpërblimi për letërsi 2015

“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”

— Mira Meksi

Shpërblimet “Rexhai Surroi” për veprat që prekin ndërgjegjen

Në edicionin e tetë të ndarjes së shpërblimeve për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”, Grupi KOHA, në një ceremoni të veçantë, ka ndarë çmimet në tri kategori. Gazetarja e “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj, ka fituar shpërblimin për gazetari me serinë e teksteve “Rruga e citostatikëve”, kompozitorja Pranvera Badivuku është nderuar me shpërblimin për vepër jetësore, ndërsa vepra e shkrimtares Mira Meksi, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, ka marrë shpërblimin vjetor për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2015

Shaban Maxharraj

PRISHTINË, 22 DHJETOR – Hulumtimi për keqpërdorimin e barnave, vepra që shtjellon kohën kur ilirët udhëhiqeshin nga një femër dhe krijimtaria e kompozitores që la gjurmë në muzikën e mirëfilltë shqiptare janë shpërblyer të martën me shpërblimet vjetore për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”. Në edicionin e tetë të ndarjes së këtyre shpërblimeve, Grupi KOHA, në një ceremoni të veçantë, ka ndarë çmimet në tri kategori. Gazetarja e “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj, ka fituar shpërblimin vjetor për gazetari me serinë e teksteve “Rruga e citostatikëve”. Kompozitorja Pranvera Badivuku është nderuar me shpërblimin për vepër jetësore bazuar në kontributin e saj për zhvillimin dhe sofistikimin e muzikës shqiptare. E vepra e shkrimtares Mira Meksi, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, ka marrë shpërblimin vjetor për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2015. Në ceremoninë e mbajtur në një hotel luksoz në periferi të kryeqytetit, pos pikave artistike janë dhënë edhe mesazhe politike nga shkrimtari e publicisti Veton Surroi. Këtë Surroi e ka bërë pas ndarjes së një përvoje me të pranishmit.

Tri mësimet e takimit të vitit 1991

Themeluesi i gazetës “Koha Ditore” dhe njeriu që ka qenë pjesë e shumë tryezave, ku janë marrë vendime të rëndësishme për Kosovën, Veton Surroi, është paraqitur si tregimtar në edicionin e tetë të ndarjes së shpërblimeve për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”. Autori i dy librave të botuar këtë vit, “Ambasadori i Melkizedekut” dhe “Emri i autonomisë”, është kthyer prapa në kohë. Ka rrëfyer se si, më 21 qershor të vitit 1991, bashkë me ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe veprimtarin Adem Demaçi ia kishin mësyrë Beogradit ende pa zbardhur dita. Do të takonin Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James Baker.

“Aba u zgjua më 21 qershor të vitit 1991 për të përgatitur pulë, pite dhe gurabija”, ka thënë Surroi. Aba ishte motra e veprimtarit e shkrimtarit Demaçi. Ka thënë se atë ditë për në Beograd do të nisej urgjentisht nga Berlini Sekretari amerikan për t’u takuar me liderët e Jugosllavisë.

Ka sqaruar se gurabijet, pula dhe pitja nuk ishin për Sekretarin Baker. Ka thënë se Aba i kishte përgatitur për liderët shqiptarë që ishin ftuar në Beograd.

“Duhej të ishim në hotelin ‘Hyatt Regency’ diku në mes të ditës. Nga ambasada thanë ejani më herët”, ka kujtuar Surroi. Asokohe kishin udhëtuar me një veturë me qira dhe shofer ishte Bujar Bukoshi, i cili më vonë ishte emëruar kryeministër në ekzil i Kosovës.

“Sapo kaluam Kosovën e hymë në Serbi, filloi një bisedë, e cila u shndërrua në mospajtime, pastaj grindje e pastaj në kërkesë që njëra palë, që mbante njërin mendim, ose të ndryshonte mendimin, ose të tërhiqej nga politika”, ka thënë Surroi. Por me të arritur në hotelin "Hyatt Regency”, kishin ndërruar hesapet e këtij muhabeti.

Treshja para Sekretarit Baker ishte paraqitur njëzëri.

“Sekretari Baker na dëgjoi me vëmendje dhe me simpati. Kështu i thamë Bukoshit kur dolëm nga takimi që zgjati mbi gjysmë ore. Porosia për ne ishte e thjeshtë: SHBA-ja ju mbron,

sepse jeni paqësorë dhe prodemokratikë. Porosia për të, nga ne, ishte po ashtu e thjeshtë: na nevojitet përkrahja amerikane që të bëhemi të barabartë me popujt tjerë të Jugosllavisë, na nevojitet përkrahja amerikane që të bëhemi të barabartë me popujt tjerë të çliruar nga komunizmi”, ka thënë Surroi.

Gjatë kthimit për në Prishtinë kishin dëgjuar lajmet në Radio Beograd, ku takimi i Bakerit me liderët shqiptarë përshkruhej si takim me separatistët shqiptarë, siç e cilësonte treshen asokohe regjimi i Milosheviqit. Lajmet kishin bërë që ata të mos kishin mundësi të ndaleshin diku për kafe e as për të drekuar. Ishin skajuar në rrugë për t’i nxjerrë nga bagazhi piten, pulën dhe gurabijet e Abës. Nga ky  rrëfim Surroi ka nxjerrë tri mësime. “Në rrugëtimet në të cilat të shtyn historia - si atëherë, si tash - mund të mbërrish edhe me një makinë qiraje, edhe pa truprojë e drita policie. Historia të shtyn në rrugëtime për mbrojtje të të tjerëve, jo mbrojtjen tënde personale”, ka thënë Surroi. Sipas tij në rrugëtime - atëherë dhe tash duhet nisur me njerëz me të cilët ndonjëherë nuk do të pajtohesh, madje deri në grindje, por duhet mbledhur forcën që me atë me të cilin je grindur, bashkudhëtarin tënd historik, të gjesh fjalën e përbashkët, zërin e përbashkët.

“Dhe në rrugëtime në të cilin të ka ftuar një mik i madh dhe i fortë, shko i përgatitur, ashtu siç do të ishe i përgatitur për cilindo udhëtim tjetër jetësor. Mos e ngarko mikun me ato me të cilat duhet të ngarkohesh ti. Në fund, do të duhet të mbështetesh tek pula, pitja dhe gurabijet tua. Metaforike a jo?” ka thënë Surroi.

Hulumtimi që zbuloi keqpërdorimet milionëshe me barna

Kim Mehmeti , Halil Matoshi, Zenun Çelaj, Drenusha Zajmi-Hoxha ishin anëtarët e jurisë për shpërblimet e këtij viti. Gazetari veteran, Çelaj, kryeredaktor i portalit Koha.net, ka thënë se shkrimet e kandidatëve të sivjetshëm rrahin me guxim, dije e profesionalizëm të standardeve të gazetarisë probleme e brenga që i godasin qytetarët nga ata që e kanë në dorë t’i bëjnë këto.

“Pra ata që përdorin pushtetin e besuar për të bërë keq, për të shkelur të drejtat e liritë e qytetarëve, për t’u pasuruar e shpërdoruar në kurriz të tyre”, ka thënë Çelaj. Ka shprehur bindjen se vendimtare për përcaktimin e fituesit kanë qenë nuancat, e tematika që prek më shumë sentimentin njerëzor.

“Kishte propozime që të kishim dy fitues, por juria veçoi shkrimin në vazhdime të Saranda Ramajt ‘Rruga e citostatikëve’ botuar në ‘Kohën Ditore’ me tituj të ndryshëm nga data 28 korrik deri më 1 gusht 2015. Në këtë seri iu pre rruga një krimi të organizuar miliona eurosh, ndërsa pacientëve iu kthye shpresa për të jetuar”, ka thënë Çelaj.

Vetë gazetarja Ramaj ka thënë se pas përfundimit të hulumtimit kishte marrë vesh së njëra nga pacientet me të cilat kishte biseduar tashmë kishte ndërruar jetë.

“Ne me të patëm biseduar dy ditë para vdekjes dhe ndoshta ky është një fakt që tregon se sa afër janë jeta dhe vdekja tek pacientet e sëmurë me kancer. Pikërisht tek këta pacientë ka ndodhur keqpërdorimi për vite me radhë. Sa më i avancuar ka qenë kanceri, aq më të shtrenjta kanë qenë barnat dhe sa më të shtrenjta që janë barnat mundësia e gjetjes së tyre në QKUK ka qenë më e vogël”, ka thënë Ramaj. Sipas saj, krejt kjo është produkt i hallkave të zinxhirit të institucioneve publike që i kanë ndaluar citostatikët për t’i shitur në tregun privat.

“Sivjet është bërë zvogëlim i buxhetit për citostatikët, gjë që nënkupton se edhe viteve tjera pacientët e sëmurë me kancer do të marrin trajtim jodinjitoz”, ka thënë Ramaj.

Kompozitorja e këngës së mirëfilltë shqipe

Lista e këngëve të kompozuara nga Pranvera Badivuku është goxha e gjatë. E Grupi KOHA e ka shpërblyer atë me Çmimin për vepër jetësore pikërisht në vitin kur Badivuku ka rrumbullakuar shtatë dekada jete.

Drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka thënë se si prej 11 vjeçeje me t’u kthyer në klasën e gjashtë e kishte kuptuar se fqinja e katit të sipërm në ndërtesën ku jetonte do të ishte edhe arsimtarja e saj e muzikës në shkollën më të vjetër të Prishtinës.

“Kjo sekuencë po ndodhte në kohën kur ‘Akordet e Kosovës’ që besoj se nuk ka kush që nuk ka dëgjuar për to, po arrinin kulmin e popullaritetit dhe ngritjen e cilësisë së prodhimtarisë muzikore në Kosovë”, ka thënë Surroi. “Akordet...” i ka cilësuar si ngjarjen e përvitshme që mbante njerëzit ngjitur për ekranin televiziv “Ishte pikërisht edicioni i ‘Akordeve...’ të vitit 1973 ai që e katapultoi emrin e Pranvera Badivukut në skenën muzikore kosovare. E lindur në Pejë, e rritur dhe e shkolluar pjesërisht në vendlindje dhe pjesërisht në Shkup, Pranvera Badivuku, arsimtare e muzikës, fillimisht në shkollën fillore ‘Emin Duraku’ e më pas në ‘Vuk Karagjiqin’ e atëhershëm e ‘Elena Gjikën’ e sotshme na e zbuloi vokacionin e saj të vërtetë, kompozimin”, ka thënë Surroi, pas shfaqjes së stories së Kohavisionit ku vetë Badivuku kishte rrëfyer për jetën dhe veprën e saj. Tek ka folur për krijimtarinë e Badivukut, Surroi ka thënë se një prej atyre krijimeve që nuk vdesin kurrë sa për melodinë dhe tekstin, aq sa për interpretimin e ëmbël dhe të paharrueshëm të Esat Bicurrit është kënga “Eja e bardha verë”, me të cilën Badivuku kishte marrë të parën “Okarinë të artë”.

Gjatë ceremonisë, tri vepra të saj janë interpretuar nga solistet operistike, Besa Llugiqi, Zana Abazi – Ramadani dhe Adelina Paloja. E derisa treshja bashkë me kuartetin kanë zënë vend në skenë, në prapavijë të pranishmit i ka shoqëruar Agron Peni në kitarë. Kompozitorja Badivuku ka thënë se kurrë nuk e ka menduar se një ditë do të vlerësohej me një çmim kaq të lartë nga një institucion dinjitoz siç është ceremonia e shpërblimeve “Rexhai Surroi”.

“Për mua është një nder shumë i madh. Ndiej edhe kënaqësi, edhe krenari, njëkohësisht. Ndoshta kam qenë shumë me fat që e kam zgjedhur profesion muzikën. Më janë hapur edhe rrugët e afirmimit. Ka qenë me fat që kam bashkëpunuar me shumë këngëtarë dhe interpretimi i tyre e ka lartësuar vlerën e këngëve të mia”, ka thënë ajo derisa Çmimin ia ka dedikuar së ëmës. Trembëdhjetë këngët e saj, ndër to “Kur ta fal një tufë gërshetë”, “E kujtoj atë takim” e “Malli për vashën”, janë përmbledhur në një CD, e cila është shpërndarë për të pranishmit.

“Mallkimi i priftëreshave” që lidh simbolet në dy kohë

Të shkosh në të kaluarën dhe ta përdorësh të kaluarën si lëndë nga e cila do të prodhosh vepër, për Kim Mehmetin do të thotë që në njëfarë mënyre të zbresësh nëpër një pus të errët dhe shpeshherë të kaplohesh nga frika. Por këtë ia ka dalë ta bëjë shkrimtarja Mira Meksi.

“Këtu është mjeshtëria që i bën të jenë të rrallë mjeshtrit që mund të bëjnë letërsi nga ajo që ka ndodhur. Aq më shumë të shkruash për një epokë të largët ku nuk mund ta përdorësh gjuhën, simbolet të cilat përdoren sot”, ka thënë shkrimtari e publicisti Mehmeti. Sipas tij në “Mallkimi...”, bëhet ringjallja e përshkrimi i një epoke të largët për ta kuptuar të sotmen.

“Vetëm Mira Meksi mund t’i sjellë simbolet e kohës së Teutës. Aty kemi një shqipe të kulluar të kohës së Teutës. Pastaj janë shenjat e asaj kohe, të cilat komunikojnë me shenjat tona të shqiptarisë”, ka thënë Mehmeti. Vetë autorja e veprës, Mira Meksi, ka thënë se ndihet e nderuar nga vlerësimi me një çmim që mban emrin e një personaliteti të shquar shqiptar të botës së politikës, diplomacisë dhe shkrimësisë.

“Por edhe për faktin se ky çmim ka krijuar tanimë një traditë të lavdërueshme në krijimin e një sistemi vlerash të qëndrueshëm në letrat shqipe larg subjektivizmave ekstreme që lidhen, përpos të tjerave, me një raport jo të drejtë midis subjektit vlerësues dhe objektit të vlerësuar për hir dhe në emër të ideologjive apo strukturave politike”, ka thënë Meksi. Sipas saj në Shqipëri, mjerisht, si rezultat i sundimit dhe trysnisë së regjimeve dhe ideologjive identiteti kombëtar jo thjesht kaloi në plan të dytë, por arriti deri aty sa të shfaqej i huaj në dhe të vet. E kundërta, siç ka thënë ajo, ka ndodhur në Kosovë.

“Pikërisht kjo është arsyeja se përse i gëzohem vlerësimit nga ana e jurisë së këtyre trojeve ndaj romanit tim, një roman mbi Ilirinë dhe Mbretëreshën e saj, Teutën, simbol dhe shenjë identitare për ne shqiptarët, i cili është ndërtuar dhe shkruar në çdo kaptinë, në çdo syth dhe në çdo fjalë të tij nën udhëheqjen e dy parimeve”, ka thënë Meksi.